Policia në kryeqytetin bullgar Sofie është përplasur sot me protestues nacionalistë që kërkojnë ndalimin e planeve të qeverisë për ta futur vendin në zonën e monedhës euro.
Më shumë se 1,000 protestues u mblodhën para selisë së Komisionit Evropian në kryeqytet dhe nisën të hidhnin bojë të kuqe e fishekzjarrë ndaj ndërtesës.
Rrjedhimisht dera kryesore e selisë mori flakë.
Forca të shumta policie e zjarrfikësash erdhën në vendngjarje për të mbajtur larg protestuesit.
Policia tha se kishte bërë disa arrestime dhe se disa oficerë u plagosën gjatë përleshjeve.
Protesta e të shtunës organizohej nga partia nacionaliste ‘Vazrazhdane’ dhe kërkonte dorëheqjen e qeverisë për planet e saj të hyrjes në monedhën euro.
Në pankartat e protestuesve shkruhej "Jo, euro" dhe "Po, leva bullgare".
"Jam këtu për të mbrojtur Bullgarinë dhe popullin bullgar," tha për gazetarët lideri i Vazrazhdane, Kostadin Kostadinov duke shtuar se kërkonte një referendum për të vendosur nëse vendi duhet të bëhet anëtari i 20 i zonës euro.
"Nëse nuk ka referendum do të bllokojmë parlamentin”, tha më tej Kostadinov, partia e të cilit është e treta më e madhe në parlament.
Bullgaria është bërë pjesë e BE në 2007, por vitet e fundit është përfshirë nga pasiguria politike.
Qeveria thotë se aderimi në zonën euro “nevojitet për thellimin e integrimit, mes tensioneve gjeopolitike” por kritikët thonë se kjo do të shkaktojë më shumë inflacion në një prej vendeve më të varfra të BE.