Banorë të fshatit Çipan në Devoll sollën në redaksi problemin shqetësues të akumulimit të mbetjeve pranë shtëpive të tyre dhe neglizhencën e zyrtarëve për të ndihmuar në ruajtjen e higjenës.
Sipas tyre kjo situatë vazhdojnë prej rreth 10 vitesh ndërsa Bashkia e Devollit nuk ka treguar asnjë lloj vëmendjeje ndaj problemit që rrezikon mirëqenien e banorëve, duke u kthyer në burim të mundshëm infeksioni dhe sëmundjesh.
Vendasit pranojnë se situata e vështirë është krijuar gjithashtu si rezultat i flakjes së pakujdesshme të mbeturinave urbane e bujqësore nga disa banorë, ndërsa shtojnë se paguajnë rregullisht taksën e pastrimit te zyrtarët bashkiakë.
Raportuesit shtojnë se gjendja e vështirë e pastërtisë dhe jetesës, është shkaku kryesor që njerëzit po largohen nga zonat rurale duke vijuar tendencën e trishtë të shpopullimit të vendit tonë.
Denoncimi:
"Përshëndetje Jeta eshte Qejf, ju shkruajmë nga Rrethi Devoll, Fshati Çipan. Ju shkruajmë për një problematikë shumë serioze që ka të bëjë me higjenen e këtij fshati, prej vitesh jemi përballur me një problematikë që nuk po merr zgjidhje.
Banorët e këtij fshati, te shkujdesur zbrazin gjithë mbeturinat, plehërat e bagëtive që kane, në hyrje te fshatit ku ndodhen disa familje, te cilat ndodhen në një rrezik shumë të madh për shëndetin.
Në çdo stinë, por sidomos në atë te verës është e pa mundur të jetohet për shkak të kimikateve të plastikave, mbetjeve urbane, dhe plehut të bagetive i cili çdo dite zbrazet në hyrje të fshatit.
Bashkia e Devollit bashke me përgjegjësit e saj, nuk kanë shfaqur interes për zgjidhjen e kësaj problematike, e cila vazhdon prej 10 vitesh të jetë e njejtë.
Por edhe Bashkia ka treguar nje mos perfillje kundrejt ketij problemi i cili është mjaft serioz, duke sjellë burime infeksioni dhe sëmundjesh të ndryshme per banorët e ketij fshati, duke rikujtuar se çdo muaj ne si qytetarë, paguajmë taksa pastrimi dhe kjo nuk është problematika e vetme në fshat.
Ky është një faktor pse po boshatisen zonat rurale. Uroj dhe lutemi që ky denoncim të percillet ne faqen tuaj dhe rrjetet sociale, pasi besojmë se jeni një burim i mirë për ti dhënë zgjidhje problematikave."