Një 46-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi vodhi në një automjet të parkuar një çantë që kishte brenda 45 milionë lekë.
Policia nuk tregoi se kujt i përkiste çanta me shumën gjigante të parave, por tha se arrestimi i shtetasit Gurjan Trajani u bë pas identifikimit nga kamerat e sigurisë.
Në pamjet e publikuara vjedhësi shihet se shkon pranë një makine të parkuar dhe vjedh çantën plot me para që ndodhej brenda e më pas largohet i qetë në këmbë.
Oficerët shfaqin më pas tufat e parave që ndodheshin në çantën misterioze, mes të cilave kishte euro, dollarë e lekë shqiptare.
Autori kishte precedentë të tjera të krimeve të këtij lloji edhe pse ndoshta nuk kishte pasur të bënte me shuma prej dhjetra milionë lekësh.
Njoftimi i policisë:
"Vodhi në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash në euro, dollar e lekë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 46-vjeçari.
46-vjeçari, i dënuar disa herë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen rreth 45 milionë lekë, (një pjesë në euro dhe dollarë) që ky shtetas kishte vjedhur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e shtetases B.L, i parkuar në zonën e Medresesë, kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë të konsiderueshme parash(rreth 47 milion lekë, një pjesë në euro dhe dollarë), kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar 'Përsëritësi', bazuar në inteligjencën policore dhe veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit: T(M)., 46 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë disa herë për vjedhje.”