Në Vatikan, lajmi për përkeqësimin e shëndetit të Papa Françeskut ka krijuar një ndjesi boshllëku dhe shqetësimi. Një nga papët më energjikë të historisë po përballet me vështirësi në frymëmarrje. Deri dhjetë ditë më parë, ai ishte ende aktiv, i angazhuar në takime dhe veprimtari jubilare. Të premten në mëngjes, mbajti fjalimet e zakonshme, megjithëse me disa vështirësi në të folur dhe frymëmarrje. Më pas, u nis me makinë dhe u shtrua në spital. Që atëherë, nuk është parë më në publik.
Papa ka ndjekur trajtimin me përpikmëri dhe ka zgjedhur të jetë i vetëm, pa praninë e sekretarëve të tij. Gjatë këtyre ditëve, ai ka vazhduar të punojë, ka pritur kryeministren Giorgia Meloni dhe disa të ftuar të tjerë, ka bërë shaka, por ka shmangur çdo vëmendje të tepërt.
Ndërkohë, ndërsa lajmet për përkeqësimin e tij u përhapën, në Vatikan heshtja dhe lutjet zunë vendin e alarmit.
“Nuk dua të flas, preferoj të pres dhe të lutem,” shprehet një kardinal.
“Nuk kam informacione të reja…”, thotë një tjetër, ndoshta duke ruajtur diskrecionin.
Shumë zgjedhin heshtjen. At Antonio Spadaro, jezuit dhe bashkëpunëtor i afërt i Papës, postoi në rrjetet sociale një ikonë me duar të bashkuara në lutje. Ndërkohë, nga Bergamo, Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, deklaroi: “Mendimet dhe lutjet tona janë me Atin e Shenjtë.”
Një Vatikan në pritje
Spekulimet mbi dorëheqjen e mundshme dhe intrigat politike janë lënë mënjanë. Në Sheshin e Shën Pjetrit, nën rrezet e diellit, vazhdojnë të dëgjohen zërat e turistëve dhe lutjet e pelegrinëve që kalojnë Portën e Shenjtë. Brenda Vatikanit, korridoret mbeten të heshtura. Shikime të shqetësuara dhe fytyra të tendosura flasin më shumë se fjalët.
Për bashkëpunëtorët e Papës, kjo ka qenë një javë e vështirë, e mbushur me shpresë dhe pasiguri. Në fillim, ndjenja se Papa nuk dorëzohet, se “gaucho” vazhdon të bëjë shaka dhe dëshiron të kthehet sa më parë në Shtëpinë Santa Marta. Por me kalimin e ditëve, frika është rritur – situata po ndërlikohet, dhe shpresa, ndonëse e pranishme, duket më e brishtë.
Disa reflektojnë mbi diagnozat mjekësore.
“Thonë se terapia nuk po funksionon, se infeksioni është tepër rezistent,” psherëtin një prift.
“Është koha t’ia lëmë gjithçka në dorë Zotit,” thotë qetësisht një kardinal.
Besimi dhe arsyetimi, lutja dhe pyetjet, qëndrojnë krah për krah.
Një moment vendimtar
Papa Françesku ndodhet përballë një momenti kritik. Ai e ka bërë të qartë se dëshiron të ruajë kontrollin e situatës. Për ditë me radhë, ka kërkuar diskrecion nga mjekët, por edhe transparencë për gjendjen e tij.
Gjatë konferencës për shtyp në spitalin Gemelli, profesori Sergio Alfieri theksoi një fjali të përsëritur nga vetë Papa:
“Ai na tha, dhe kështu është, se të gjitha dyert janë të hapura.”
Më saktë: “Siç e tha vetë, dera mbetet e hapur për të dyja mundësitë.”