Një shqetësim i ngritur nga një qytetar lidhur me vendosjen e koshave të mbeturinave në rrugë ka rikthyer vëmendjen tek problematikat e infrastrukturës urbane në Tiranë. Konkretisht, në rrugën Myslym Shyri, një nga arteriet kryesore të kryeqytetit, vendosja e koshave të mbeturinave në mënyrë të papërshtatshme ka sjellë pengesa serioze për lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Siç duket nga fotoja që ka dërguar një denoncues në redaksinë tonë, koshat e mbeturinave në këtë zonë reduktojnë ndjeshëm hapësirën e rrugës, duke krijuar trafik të përditshëm, veçanërisht pranë hyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Situata është përkeqësuar edhe në rrugët dytësore, ku koshat shpesh bllokojnë rrjedhën normale të qarkullimit.
Në këto kushte, kërkohet ndërhyrje urgjente nga autoritetet për sistemimin e koshave të mbeturinave në mënyrë që të mos pengojnë lëvizjen dhe të shmangin kaosin në qarkullim.
Mesazhi i plotë:
"Pershendetje desha te ndaj me ju kete problem lidhur me pozicionimin e koshave te mbeturinave ne rruge, shpesh jane problem ne rruget dytesore pasi pengojne qarkullimin , por ne mes te Tiranes , rruga Myslym Shyri rruge kryesore te jesh duke ecur normalisht dhe te dali koshi perpara eshte e pa imagjinueshme. Rruga ngushtohet ne kete pike sa krijon trafik cdo dite , hyrja per ne drejtorine e pergjithshme te policise. Ju a nisa juve pasi shpesh problemet ketu marrin zgjidhje. FLM".