Gjatë vitit 2024, shqiptarët renditen të dytët pas gjeorgjianëve për numrin e lartë të kthimeve vullnetare dhe të detyruara nga vendet e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat dhe Agjencisë Europiane për Ruajtjen e Kufijve (FRONTEX), të përpunuara nga Zëri i Amerikës, 8,202 shtetas shqiptarë me qëndrim të parregullt janë detyruar nga autoritetet policore të largohen nga një vend i BE-së gjatë këtij viti.
Në vitin 2023, numri i shqiptarëve të urdhëruar të largoheshin nga BE-ja ishte 17,425, ndërsa 7,870 prej tyre u kthyen realisht. FRONTEX raporton se në vitin 2021 u kthyen me forcë 5,398 shqiptarë, shifër më e lartë se ajo e vitit 2020, kur ishin riatdhesuar 4,801 persona.
Tendenca e emigrimit të shqiptarëve vazhdon të prodhojë shifra të larta të kthimeve të detyruara dhe refuzimeve të qëndrimit në vendet e BE-së. Shqiptarët që urdhërohen të largohen janë kryesisht persona të cilët jetojnë në mënyrë të paligjshme, duke tejkaluar afatin tremujor të qëndrimit në zonën Shengen ose duke kryer aktivitete jashtë qëllimeve të lejuara nga regjimi pa viza, siç është punësimi i paligjshëm apo përfshirja në veprimtari kriminale.
Ndërkohë, të dhënat paraprake të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit 2024, 1,120 shtetas shqiptarë me qëndrim të parregullt dhe dënime penale janë riatdhesuar nga Britania e Madhe në 25 operacione të realizuara përmes transportit ajror.