Situata e eksporteve të vajit të ullirit vijon të përkeqësohet në fillim të këtij viti, me një rënie të ndjeshme të sasisë dhe vlerës së eksportuar. Që prej dhjetorit, eksportet janë pothuajse të bllokuara, kryesisht për shkak të çmimit të ulët të ofruar nga blerësit e huaj, veçanërisht për vajin e paambalazhuar. Në janar 2025, sasia e eksportuar ra me 97% dhe vlera me 98% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kjo tendencë ka nisur që në vitin 2024, veçanërisht në tremujorin e fundit, kur eksportet u ulën në nivelet më të ulëta që nga pandemia. Në total, në 2024 u eksportuan 2.3 milionë kg vaj ulliri, një rënie prej 62% në krahasim me vitin 2023, ndërsa në vlerë tkurrja ishte 44%.
Operatorët e sektorit e lidhin krizën me çmimet e ulëta në tregun ndërkombëtar, ku konkurrojnë me prodhues nga Spanja dhe Greqia, si dhe me rritjen e kostove të prodhimit, përfshirë pagat më të larta për vjelësit. Kërkesa për vajin e ullirit shqiptar ka rënë edhe në SHBA, ku tregu po dominohet nga prodhues grekë me çmime më konkurruese.
Aktualisht, eksportuesit janë në pritje të një stabilizimi të çmimeve, që mund të vijë me rritjen e kërkesës në muajt e ardhshëm, veçanërisht nga sektori turistik.