Një projektligj i ri është paraqitur në Kuvend, duke propozuar masa më të forta për të mbrojtur markat tregtare nga imitimi dhe përdorimi i paautorizuar.
Sipas draftit, tregtarët që shesin produkte duke i paraqitur si origjinale, ndërkohë që ato janë imitime, mund të përballen me padi nga pronarët e markave dhe me sekuestrimin e mallit.
Në relacionin shoqërues të projektligjit thuhet se "tregu në Shqipëri po përballet me raste të shumta të përdorimit të markave identike ose të ngjashme me ato të regjistruara, gjë që mund të ndikojë në konsumatorët dhe operatorët ekonomikë."
Projektligji parashikon gjithashtu që pronarët e markave të kenë të drejtën të kërkojnë dëmshpërblim për përdorimin e paautorizuar të markës (neni 87) dhe të kërkojnë hetime nga Drejtoria e Pronësisë Industriale në rast të dyshimeve për shkelje (neni 118).
Dokumenti përfshin 135 nene, ku përcaktohen procedurat për regjistrimin e markave tregtare, si për ato vendase ashtu edhe për ato ndërkombëtare. Licenca për një markë do të jetë 10-vjeçare dhe mund të rinovohet, ndërsa tarifat do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Projektligji është ende në fazën e diskutimeve dhe mbetet për t'u parë se çfarë ndryshimesh mund të pësojë deri në miratim.