Numri i divorceve në Shqipëri është rritur ndjeshëm në vitin 2024, duke arritur në 6 632 raste, rreth 1 000 më shumë se në vitin 2023.
Faktorët kryesorë që çojnë në ndarje përfshijnë vështirësitë ekonomike, dhunën në familje, emigracionin dhe ndryshimet në pritshmëritë mes partnerëve. Sipas Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve, divorci prek të gjitha moshat, por shumica e kërkesave vijnë nga gratë, veçanërisht në grupmoshën 40-50 vjeç.
Pavarësisht rritjes së numrit të divorceve të përfunduara, kërkesat e reja për zgjidhje martese kanë shënuar një rënie. Një tendencë e re është shtimi i divorceve me marrëveshje ndërmjetësimi, duke shmangur proceset e gjata gjyqësore. Në vitin 2024 janë zgjidhur mbi 2 000 raste me ndërmjetësim, krahasuar me rreth 1 200-1 300 në vitin 2023.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Fieri regjistrojnë numrin më të lartë të divorceve, ndërsa Kukësi, Gjirokastra, Saranda dhe Dibra kanë numrin më të ulët.