Një 54-vjeçar në Shkodër u arrestua nga policia pasi tentoi të qëllonte me armë zjarri pronarin e një lokali pas një konflikti mes tyre. Ngjarja ndodhi në lagjen “Manush Alimani”, ku policia ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
I dyshuari, Vedat Hoxha, u largua nga lokali pas debatit, por u rikthye me një armë kallashnikov. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri që ai të hidhte armën në tokë dhe të prangosej në vendngjarje. Autoritetet sekuestruan armën dhe municionin luftarak si prova materiale.
Gjithashtu, pronari i lokalit, G. H., 36 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë për “Punësim të paligjshëm” dhe “Fshehje të të ardhurave”. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.