Alban Mansaku, i cili disa kohë më parë dhunoi nënën e tij, ndodhet pas hekurave, ndërsa e moshuara ndërroi jetë pak kohë pas ngjarjes tronditëse. Pamjet nga kamerat dëshmuan dhunën e rëndë që ajo kishte përjetuar, duke ngritur shqetësime mbi raste të tilla të përsëritura të dhunës në familje.
Së fundmi, në redaksinë tonë kanë mbërritur pamje të reja që tregojnë agresivitetin e tij të shpeshtë. Madje dëgjohet qartë që ai përdor fjalor fyes ndaj fqinjëve të tij. Kjo është arsyeja pse banorët e zonës e përshkruajnë atë si një kërcënim të vazhdueshëm, dhe burgosja e tij mund t’u ketë sjellë atyre një ndjenjë lehtësimi. Megjithatë, mbetet shqetësimi se çfarë do të ndodhë pas lirimit të tij.
A kanë garanci banorët se skenat e dhunës nuk do të përsëriten, kësaj here jo më ndaj nënës së tij, por ndaj të tjerëve? Izolimi i tij ka shërbyer si parandalim i një tjetër tragjedie, por institucionet përkatëse duhet të sigurojnë që ai të mos përbëjë më rrezik për komunitetin pas dënimit.