Një qytetare ka sjellë në redaksinë tonë një video ku shihet një grua e moshuar, e mbuluar me një batanije dhe e rrethuar me disa ushqime, e ulur në mes të rrugës, pranë shkolla “Janaq Kilica” në qendër. Sipas qytetares që e ka regjistruar videon, ajo ka ardhur nga Greqia ditën e sotme dhe nuk di nëse e moshuara jeton në rrugë apo ndodhet përkohësisht atje.
Pavarësisht kësaj pamje të trishtë, kalimtarët kalojnë indiferentë pranë të moshuarës, duke pranuar në heshtje realitetin.
Kjo ngre shqetësimin se si raste të tilla mund të mbeten të paadresuara, në një kohë kur shërbimet sociale duhet të jenë të parat që të ndihmojnë dhe të ofrojnë mbështetje.
A ofrohet shërbim social në qytetin e Fierit?
Apelojmë që institucionet përkatëse të marrin masa për të vlerësuar gjendjen e së moshuarës dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme. Gjithashtu, qytetarët duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj rasteve të tilla dhe t'i referojnë ato tek autoritetet, për të shmangur që persona të pambrojtur të mbeten në kushte të vështira.