Punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) janë urdhëruar të paraqiten në punë edhe ditën e shtunë, një vendim që ka ngjallur pakënaqësi dhe akuza për shkelje të të drejtave të punonjësve.
Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë tonë, ky urdhër është dhënë nga drejtuesit e institucionit pa një konsultim paraprak me stafin apo përfaqësuesit e tyre. Punonjësit shprehen se e shtuna nuk është pjesë e ditëve të punës të përcaktuara në kontratat e tyre dhe se vendimi nuk parashikon asnjë formë kompensimi për orët shtesë.
"Kjo po bëhet vetëm për fushatë, janë frikësuar për zgjedhjet e majit dhe tani po na shfrytëzojnë," tha denoncuesi
Përveç mungesës së konsultimit dhe kompensimit, punonjësit vënë në pikëpyetje edhe urgjencën e këtij vendimi, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye që ta justifikojë atë.
Ky veprim po shihet nga punonjësit si një përpjekje për të përshpejtuar punën në funksion të fushatës zgjedhore, një praktikë që ka ngritur shqetësime mbi politizimin e administratës publike.