Një burrë ka treguar për lëndimet e tmerrshme që i kanë ndryshuar jetën pasi u godit nga një rrymë elektrike prej 4160 voltësh, duke i djegur pothuajse gjithë lëkurën e kokës.
Ngjarja ndodhi në vitin 2019, kur John Pendleton, ish-minator nga Florida, pësoi një goditje elektrike gjatë operimit të një makinerie të rëndë. Rryma hyri përmes pjesës së sipërme të kokës dhe doli nga qafa e tij.
John nuk kujton asgjë nga momenti i aksidentit, pasi ra në koma për nëntë ditë. Kur u zgjua, ai kishte djegie të shkallës së tretë dhe të katërt në 30% të trupit, një frakturë në kafkë dhe një gjakderdhje në tru. Më e keqja ishte se ai humbi veshin e djathtë dhe 40% të veshit të majtë.
Sot, ai përdor një vesh protetik dhe shpesh ndan historinë e tij në TikTok, për të ndërgjegjësuar të tjerët mbi sigurinë në punë.
Në një nga videot e tij, John tregon se pas aksidentit, mjekët përdorën inde nga shpina e tij për të krijuar një “mbulesë” mbi kokën e djegur. Ai e pranon me humor situatën e tij, madje ka treguar se për Halloween përdor veshin plastik për të trembur fëmijët.
“E mora këtë vesh plastik vitin e parë pas daljes nga spitali. Ishte Halloween, e gjetëm në një dyqan dhe e bleva menjëherë. Në festë, ua hidhja fëmijëve dhe ata tmerroheshin duke bërtitur: ‘Oh, ke veshin tim!’ Ishte shumë qesharake,” tregon ai.
John siguron ndjekësit e tij se dëgjimi i tij është i paprekur, pavarësisht mungesës së veshit. “Daullja e veshit është aty dhe funksionon perfekt,” thotë ai duke treguar anën e kokës.
Përkundër komenteve të shumta që merr në rrjetet sociale, ai thotë se nuk shqetësohet nga talljet. “Nuk ofendohem, përkundrazi, më pëlqen humori dhe qesh me shakatë,” shprehet ai.
John ka kryer 10 operacione dhe pritet t’i nënshtrohet të tjerave në të ardhmen.