Mashtrimi i Ramës: Premtoi mbylljen e TikTok, por platforma vijon normalisht

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.02.2025, 21:49

Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama se TikTok do të ndalohej në Shqipëri brenda 6-8 javësh, platforma vazhdon të funksionojë pa asnjë pengesë. Ky vendim u argumentua me shqetësimet për përmbajtjet e dhunshme dhe gjuhën e urrejtjes, sidomos pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, por afati i dhënë nga qeveria ka kaluar dhe asgjë nuk ka ndryshuar.

Më 21 dhjetor 2024, Rama deklaroi prerë se brenda 1 viti platforma do të mbyllej plotësisht dhe se brenda 6-8 javëve do të nisnin hapat konkretë për ndalimin e saj. Por kur kanë kaluar mbi 8 javë, një verifikim i thjeshtë tregon se TikTok funksionon normalisht në Shqipëri, pa asnjë bllokim.

Në një takim me studentët më 28 janar 2025, kryeministri nuk dha më një afat për ndalimin, por tha se qeveria është në dialog me TikTok, duke pritur propozime nga kompania për të adresuar shqetësimet e ngritura. Pra, ndryshe nga premtimet, qeveria tani duket se po negocion me platformën që deklaroi se do ta mbyllte.

Pas njoftimit të qeverisë shqiptare për ndalimin e TikTok, kompania reagoi më 22 dhjetor 2024, duke kërkuar sqarime urgjente. Përfaqësuesit e TikTok theksuan se nuk kishte asnjë provë që autori apo viktima e ngjarjes tragjike të dhjetorit të kishin llogari në TikTok, ndërsa videot e konfliktit ishin postuar në një platformë tjetër.

Në një takim në Davos më 22 janar 2025, Rama diskutoi këtë çështje me Christine Grahn, përfaqësuesen e TikTok për Europën, dhe tha se qeveria shqiptare mbetet e vendosur për ndalimin e platformës në mungesë të garancive të nevojshme. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për ta ndaluar TikTok.

Aktualisht, ndalimi i TikTok në Shqipëri mbetet i pasigurt. Pavarësisht toneve të forta të qeverisë, fakti që Shqipëria është në dialog me kompaninë dhe po pret propozime nga TikTok lë hapësirë për një zgjidhje alternative. Rrjedhimisht, përdoruesit shqiptarë vijojnë të kenë akses të plotë në këtë platformë, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet ende për t’u parë.

Ka shumë gjasa që premtimi për ndalimin e TikTok mund të kthehet në një tjetër mashtrim elektoral, i cili do të harrohet me kalimin e kohës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit