Elon Musk shfaqet me sharrë në skenë: Unë dhe Trump po luftojmë kundër Matriksit!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.02.2025, 21:34

Elon Musk doli në një skenë në Washington, D.C., të enjten, duke tundur një sharrë elektrike të zbukuruar, dhuratë nga presidenti i Argjentinës, Javier Melei.

Musk, i veshur me një kapele të zezë "Make America Great Again", mori pjesë në konferencën konservatore CPAC për të informuar mbështetësit republikanë mbi Departamentin e Efikasitetit Qeveritar. Sharra elektrike simbolizonte shkurtime drastike në shpenzimet e qeverisë, një mesazh që Melei ka përdorur më parë në fushatën e tij, dhe të cilin Musk e ka mbështetur.

Gjatë fjalimit, Musk e quajti sharrën "sharra e demokracisë", duke shtuar: "Legalizoni komedinë... duhet të kënaqemi pak, apo jo?"

Në një intervistë në skenë me gazetarin Rob Schmitt, Musk kritikoi administratën Biden dhe shpjegoi se si nga një qëndrim neutral politik, ai është rreshtuar me republikanët dhe administratën Trump.

"Ndjeva se po shkonim drejt një pike pa kthim," tha ai. "Prandaj ishte thelbësore që presidenti Trump të fitonte zgjedhjet dhe që republikanët të kishin shumicën në Kongres."

Musk shtoi se është e nevojshme të rikthehen "elementët themelorë që e bënë Amerikën të madhe, si liria dhe mundësia."

Ai kritikoi ashpër mediat tradicionale amerikane, duke thënë se blerja e platformës X ishte një hap për të mbrojtur "lirinë e shprehjes". Ai i quajti mediat tradicionale një "dhomë jehone" dhe sugjeroi që ato të mos financohen më nga qeveria federale.

Ai gjithashtu kritikoi administratën Biden për politikat mbi emigracionin, duke e quajtur hyrjen e migrantëve "një skemë të madhe për importimin e votuesve të rinj."

Ndër të tjera, Musk tha se ai dhe Trump po luftojnë kundër 'Matriksit'.

"Ne po luftojmë fort kundër Matriksit," deklaroi Musk. "Kjo duhet bërë."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit