Pas publikimit nga JOQ Albania të një automjeti luksoz tip Maybach duke bërë një parakalim të rrezikshëm në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ka ardhur reagimi i Policisë së Shtetit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton se shoferi i mjetit është identifikuar dhe është gjobitur me 10.000 lekë të rinj për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ngjarja u bë e njohur përmes një videoje të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar denonconte sjelljen e rrezikshme të drejtuesit të makinës luksoze.
Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije për JOQ Albania se mjeti në fjalë është në pronësi të oligarkut Pëllumb Salillari.
Sipas qytetarit, shoferi i Maybach nuk kishte pritur në radhë si të gjithë, por kishte zgjedhur të shkelte rregullat për të shmangur trafikun. Kjo ngjarje solli reagime të forta nga qytetarët, të cilët theksuan se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, pavarësisht statusit apo pasurisë.
Reagimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:
"Në lidhje me një video të publikuar në portalin JOQ Albania, në të cilën shfaqet tek Liqeni i Thatë, një automjet që shkel rregullat e qarkullimit rrugor, ju informojmë se:
Pas verifikimeve përkatëse nga Qarkullimi Rrugor, është vendosur masë administrative 10.000 lekë të rinj.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon dhe fton mediat e qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm."
Redaksia e JOQ Albania vijon të jetë zëri i qytetarëve dhe të denoncojë çdo padrejtësi apo shkelje të ligjit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të na dërgojnë çdo rast të ngjashëm për ta bërë publik dhe për të kërkuar llogari nga autoritetet përgjegjëse.