Një tjetër tender i dyshimtë ka kaluar në duart e një emri të njohur për lidhjet e tij me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. ALBCONTROL SH.A., një institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të drejtuar nga Blendi Gonxhja, ka shpallur fituese kompaninë DATA LOG, në pronësi të Sokol Sinanit, për një kontratë me vlerë 23,346,000 lekë të reja pa TVSH (rreth 280 milionë lekë të vjetra me TVSH).
Tenderi në fjalë kishte si objekt "Shpenzime mirëmbajtje sistem Financa, Prokurimi, Buxheti, e-ticket", ndërsa fondi limit i përcaktuar ishte 24,913,360 lekë të reja pa TVSH (rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH). Vlera fituese përbën rreth 93.7% të fondit limit, një përqindje tepër e afërt, çka ngre dyshime mbi konkurrencën e vërtetë të kësaj gare.
Për këtë procedurë me numër reference REF-34281-12-22-2024, kanë marrë pjesë tre kompani, por ajo që bie në sy është fakti se njëra prej tyre nuk ka ofruar fare ofertë. Ky detaj, i përsëritur shpesh në tenderat e dyshimtë, lë hapësirë për spekulime mbi një garë të mundësuar për një fitues të paracaktuar.
Sokol Sinani është një emër i njohur në fushën e teknologjisë, por edhe për lidhjet e tij të ngushta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet aktualisht në burg. Sinani më herët ka qenë ortak i ngushtë i Beqajt në kompaninë INTECH +, e cila ka përfituar miliona nga tenderat shtetërorë, kryesisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Pavarësisht arrestimit të Beqajt, dyshohet se ai vazhdon të përfitojë nga fondet publike përmes Sokol Sinanit, i cili shihet si një njeri i besuar për të siguruar vazhdimësinë e kontratave fitimprurëse. Ka aludime se Sinani është një ndërmjetës i Beqajt, duke vepruar si "mashë" për tërheqjen e fondeve shtetërore.
Ky tender i fundit, me vlerë gati 280 milionë lekë të vjetra, vetëm sa shton dyshimet për praktikat e errëta në ndarjen e fondeve publike dhe rikthen vëmendjen mbi skemat e financimeve të dyshimta në shtet.