Një mesazh për bombë me email në kolegjin privat Turgut Ozal sot në Tiranë, ka sjellë evakuimin kaotik të institucionit dhe panik te prindërit, fëmijët e autoritetet.
Raportimet në redaksi tregonin sesi fëmijë e mësues dilnin të traumatizuar nga ndërtesa kurse prindërit e alarmuar nxitonin të merrnin fëmijët e tyre.
“Janë duke vrapuar, prindër e kalamaj duke qarë. Policia e madhe, forca speciale. Duhet të jetë diçka serioze”, shkruan mes të tjerash qytetari.
Efektivë të shumtë policie, forca speciale e xheniere shiheshin në vendngjarje, edhe pse rrjedhimisht alarmi rezultoi i rremë.
Autoritetet në ambientet e kolegjit pas kontrolleve deklaruan se alarmi ka qenë i rremë, pasi nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Zyrtarët thanë se po punojnë për zbulimin e autorëve të njoftimit.
“Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën Misto-Mame, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.
Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës”, tha policia në njoftim.