Është arrestuar sot në Shkodër eksponenti famëkeq i krimit shqiptar dhe evropian Safet Bajri pas një urdhri të ri nga Gjykata e Posaçme.
Raportimet thonë se Bajri po transferohet drejt Tiranës teksa dy ditë më parë forcat RENEA kryen kontrolle në banesën e tij në Shkodër.
Sipas avokatëve të Bajrit, ai do të merret në pyetje në Tiranë por mbrojtja nuk konfirmon t'i jetë komunikuar ndonjë urdhër arresti, ndërsa pohon se për herë të dytë kërkohet marrja e ADN-së.
Safet Bajri (Rustemi) ka kryer dënimin me kërkesë të gjykatës së Belgjikës dhe ishte liruar papritur vitin që shkoi nga burgu në Shqipëri, duke kryer vetëm një pjesë të vogël të dënimit.
Burimet bëjnë me dije se arresti ndaj tij është firmosur në lidhje me vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht të 2018-ës.
Fatbardh Lici ka qenë pjesëtar i familjes Lici, vëllai i Sokol Licit dhe Mustafa Lici. Po ashtu ai ka qenë xhaxhai i Ibrahim Licit dhe kunati i Lulzim Kullës.
53-vjeçari u ekzekutua teksa po pinte një kafe në një lokal në lagjen Kiras Kjo vrasje dyshohet se erdhi si hakmarrje nga fisi Bajri, pas vrasjes së ish-policit Bërcana.
I njohur edhe si “i forti” i Shkodrës, Bajri u dënua për akuza të shumta kriminale në disa vende të Evropës, si tentative vrasje, prostitucion dhe trafik drogash.
Por me sa duket akuza të reja rëndojnë mbi të çka ka sjellë vendimin për rigjykimin e tij.
Një ditë më parë Bajri u shfaq në një program televiziv në lidhje direkte për të mohuar akuzat.
Mediat në Belgjikë e kanë konsideruar 34-vjeçarin si bosin e një organizate kriminale të fuqishme të veriut të Shqipërisë, ndërsa opozita PD e ka cilësuar 34-vjeçarin si ‘pjesë e familjeve kriminale që veprojnë në qytetin e Shkodrës.’
Ai është dënuar më 25 Janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në Bruksel. Kjo organizatë është përgjegjëse gjithashtu për vepra si shkatërrim i pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.