Në Gjykatën e Apelit në Tiranë, të mërkurën u zhvillua seanca gjyqësore lidhur me ngjarjen e ndodhur në Potam në vitin 2022, ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.
Në seancë ishin të pranishëm dy avokatët e të pandehurit dhe vetë autori. Pavarësisht kërkesës së gjyshit të Jonadës për të mbajtur fjalën në emër të prindërve të saj, trupa gjykuese nuk e lejoi Ismet Avdiaj të fliste. Në vend të tij, avokati i familjes, Adriatik Lapaj, lexoi fjalën e tij para gjykatës.
Avokatët e të pandehurit kërkuan që në seancën e ardhshme të shfaqen pamjet filmike të sekuestruara nga kamera e një hoteli. Seanca e radhës u caktua për datën 27 shkurt 2025. Gjithashtu, ata kërkuan ndryshimin e klasifikimit të veprës penale nga "vrasje me dashje," me qëllim që klienti i tyre të përfitojë një dënim më të lehtë.
Ndërkohë, gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj, ka kërkuar që vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, e cila dënoi autorin me 18 vite burg, të rikonfirmohet, duke e cilësuar atë si një akt drejtësie dhe një vendim dinjitoz për tragjedinë e familjes.