Elon Musk thotë se Zelensky ‘drejton një makineri që ushqehet me trupa ushtarësh të vdekur’

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 21.02.2025, 11:48

Elon Musk ka sugjeruar dje se Volodymyr Zelensky drejton një “makineri mashtrimi që ushqehet me trupa ushtarësh të vdekur të luftës në Ukrainë, duke intensifikuar sulmet e zyrtarit të afërt të presidentit Trump ndaj presidentit të Ukrainës.

Zhvillimi vjen teksa edhe vetë presidenti Trump është deklaruar “i zhgënjyer” me Zelensky duke thënë se ka një 'problem personal' me të.

Musk përsëriti dje thirrjet e Trump për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë, duke pretenduar se Zelensky i ka anuluar ato sepse ‘e di se do të humbiste bindshëm’.

Duke shkruar në platformën e tij X, Musk tha: “Në realitet ai përçmohet nga njerëzit e Ukrainës, prandaj dhe nuk mban zgjedhje. Unë e sfidoj Zelensky për të mbajtur zgjedhje dhe ta hedhë poshtë këtë, por ai nuk e bën”.

Më pas aleati i Trump shtonte: “Presidenti Trump ka të drejtë që nuk i vë veshin atij dhe mendon veçmas për marrëveshje armpëpushimi, jashtë makinerisë së korrupsionit të Zelenskit që ushqehet me trupat ushtarëve të vdekur të Ukrainës”.

Musk nuk detajoi më tej çfarë do të thoshte me këtë, por komentet duket se janë një jehonë e akuzave të Trump se Zelensky kërkon të mbajë gjallë 'rrjedhën e ndihmave të huaja financiare dhe në armatime, duke vijuar luftën e gjakderdhjen me çdo mjet.

Më herët presidenti SHBA habiti opinionin duke ndryshuar qëndrim ndaj konfliktit në Ukrainë kur tha se Zelenski ishte shkaktar i luftës.

Trump ka bërë thirrje që Ukraina të shkojë në zgjedhje duke thënë se mbështetja për presidentin aktual është vetëm 4%. Presidenti ukrainas i luftës ka fituar zgjedhjet në 2019 me mbi 70 përqind të votës para se më shumë se 100 000 ukrainas të vriteshin në konfliktin brutal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit