Agjencitë e doganave njoftojnë se rritja e importeve të qumështit vijoi edhe përgjatë vitit 2024, kur sipas të dhënave u importuan 22,8 mln litra qumësht, në një rritje prej 23%.
Situata e vrazhdë pritet të vijojnë dhe shqiptarët do të duhet të konsumojnë qumësht të përpunuar e të ardhur nga vende të tjera, që shpesh është i zhveshur nga vlerat ushqyese dhe i mbushur me kimikate prezervues që urdhërohet të përdoren për transportet ushqimore.
Ekspertët thonë se gjatë muajve të verës importi i qumështit në Shqipëri shtohet edhe më shumë pasi kompanitë nuk plotësojnë dot volumin me prodhimin e fermerëve vendas.
Ndërsa këta të fundit janë ankuar vazhdimisht për mungesë mbështetjeje dhe burokraci për punë e tyre te vyer me ushqimin vendas.
Industria përpunuese thotë se mbetet problem kostoja e lartë dhe çmimet e shtrenjta të furnizimit me qumësht në vend.
Çmimi i qumështit të lopës te fermat e mëdha në vend është 66 lekë për litër (pa TVSH) ndërsa në fermat e vogla (ku kostot për ta grumbulluar janë më të larta) çmimi i qumështit shkon deri në 60 lekë për litër.
Uljet e shpeshta dhe arbitrare të çmimit të grumbullimit të qumështit vendas janë shoqëruar 2 herë me protestë nga blegtorët në muajin prill të 2024-s, në një kohë kur qumështi i huaj ose i përpunuar ‘sundon’ i qetë tregun.
Ekspertët pohojnë se është mungesa e subvencioneve për litër qumështit të prodhuar që krijon së tepërmi diferencë të çmimit të shitjes së qumështit të lopës krahasuar me fermat e rajonit dhe Europës.
Po ashtu fermerët prej muajit janar 2025 po përballen me shtim kostosh për mbajtjen e bagëtive për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve ushqyese. Çmimi i misrit nga 27 lekë/kg që tregtohej më parë, aktualisht po blihet 34 lekë/kg.
Ndërsa çmimi i himeve të drithit nga 22 lekë/kg bëhet në 29 lekë/kg. Çmimi i elbit është rritur gjithashtu me rreth 30%, kurse çmimi i jonxhës nga 500 lekë që tregtohej në periudhën maj-qershor, aktualisht është 700-800 lekë/dengu, thonë statistikat.