Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në vështirësi financiare, përdorin subvencionet për paga dhe detyrime

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 21.02.2025, 11:09

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar se ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve vijojnë të përballen me vështirësi të theksuara financiare, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e subvencioneve të dhëna nga qeveria është përdorur për paga dhe sigurime shoqërore të punonjësve.

Sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), gjatë viteve të fundit, këto ndërmarrje kanë përfituar subvencione të ndryshme, të cilat janë orientuar kryesisht për të mbuluar kostot e operimit. Në vitin 2020, ato kanë marrë tre lloje subvencionesh – për energjinë elektrike, ndikimin e pandemisë COVID-19 dhe detyrimet tatimore – ndërsa në vitet 2021 dhe 2023, fondet janë dhënë vetëm për mbulimin e faturave të energjisë elektrike.

Gjendja financiare e ndërmarrjeve mbetet problematike, pasi subvencionet janë përdorur për të shlyer detyrime të mbartura, përfshirë pagat, sigurimet shoqërore dhe taksat. Për më tepër, shumë ndërmarrje vijojnë të kenë borxhe të akumuluara ndaj operatorëve të energjisë elektrike, duke u përballur me penalitete për vonesat në pagesa.

Audituesit kanë evidentuar gjithashtu një mangësi serioze në dokumentimin e përdorimit të subvencioneve. Sipas tyre, pavarësisht fondeve të akorduara nga buxheti i shtetit përmes AKUK, nuk ka asnjë evidencë të qartë mbi mënyrën se si janë shpenzuar konkretisht këto fonde nga ujësjellësit. Në vitin 2023, ndërmarrjet e ujësjellësit kanë gjeneruar të ardhura në vlerën e 10.3 miliardë lekëve, ndërsa subvencionet kanë arritur në 310 milionë lekë.

Kriza financiare e sektorit është një problem i përsëritur dhe ka qenë një nga arsyet kryesore që dy vite më parë nisi reforma e agregimit të ndërmarrjeve të ujësjellësit. Në kuadër të kësaj reforme, shumica e ndërmarrjeve janë bashkuar në struktura më të mëdha, me përjashtim të Tiranës, Kamzës dhe Vorës, të cilat vijojnë të operojnë në mënyrë të pavarur.

Në vazhdën e reformës, Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar vitin e kaluar një rritje të çmimit të ujit për disa prej ndërmarrjeve që kanë aplikuar, duke marrë parasysh përmirësimin e disa treguesve të performancës nga ana e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit