Në Tufinë kamionët privatë hapin parcela të reja varrezash, qytetari: 300€ një varr

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 21.02.2025, 10:43

Qytetarë të Tiranës denoncuan sot zgjerimin ilegal të varrezave të Tufinës në zonën e mbrojtur të Dajtit dhe shitjet e varreve me pagesa marramendëse nga zyrtarët vendorë.

Në pamjet e dërguara shihen kamionë ndërtimi që buçasin në hapësirat mes varreve për hapjen e zonave të reja dhe më pas shitjen e tyre për përfitime personale ose ‘favore’ elektorale.

Kryetarët e njësive vendore janë të përfshirë në bizneset e punimit të varreve e funeraleve duke ofruar “shërbime” që arrijnë deri në 1800 euro, ndërsa trajtojnë parkun natyror të Dajtit sikur të ishte pronë e tyre.

Komuniteti bën thirrje për ndalimin e kësaj situate abuzive, që sipas qytetarit bëhet në kohë elektorale si objekt favoresh për blerje të votave.

Denoncimi: "Përshëndetje, dëshiroj të njoftoj një skandal që po ndodh në varrezat e Tufinës. Aty është nisur një biznes i ri për të zgjeruar dhe hapur parcela të reja për varre, dhe çdo vend për varr po shitet për 300 euro nga Kryetari i Njësisë Dajti. Ky është një skandal i rëndë, pasi asnjë autoritet, as Policia, as Bashkia dhe as IKMT, nuk ndërhyjnë, ndërkohë që, nëse hedh një thes mbeturinash, të gjithë do të rrethohen. Mbi të gjitha, kjo zonë është një zonë e mbrojtur.

Kryetari i Njësisë Dajti ka si bashkëpunëtor Kryeplakun, i cili ka një punishte që prodhon varre dhe i shet ato së bashku me vendin e varrit dhe me shërbimet e funeralit për 1800 euro. Ky aktivitet është zhvilluar pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet, ndërkohë që kamionët kalojnë çdo ditë pa pengesë.

Ky skandal është një shkelje e rëndë ligjore dhe një tregti me jetën e njerëzve. Të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë aktivitet po shfrytëzojnë situatën për përfitime të paligjshme, ndërsa asnjë institucion nuk po i ndalon. Kjo situatë duhet të shqetësojë të gjithë dhe të mos lihen pas dore, pasi është një përpjekje për të blerë vota para zgjedhjeve të 11 majit. Ju lutem mos e injoroni këtë situatë, pasi është një skandal që kërkon reagim."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit