Një apel prekës për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.
Anxhela, një vogëlushe vetëm 14 muajshe nga fshati Grudë i Shkodrës, vuan nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e cila rrezikon t’i marrë jetën.
Prej një viti, ajo endet dyerve të spitaleve pa asnjë shpresë, ndërsa gjendja e saj po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
E mitura qan pa pushim, ka bllokime të frymëmarrjes dhe kriza të forta, ndërsa trupi i saj i brishtë po dorëzohet.
Shpresa e vetme për të është trajtimi në një spital të specializuar jashtë vendit. Prindërit e Anxhelës i luten të gjithë shqiptarëve të ndihmojnë për t’i shpëtuar jetën vajzës së tyre.
Fondacioni Firdeus, i drejtuar nga bamirësi i mirënjohur Elvis Naçi, ka hapur një fushatë në GoFundMe për të ndihmuar vogëlushen.
"Çdo njeri, pavarësisht se ku jeton, ka të drejtë për një jetë të shëndetshme dhe të lumtur. Por sot, fatkeqësisht, shumë familje janë sprovuar nga sëmundjet dhe varfëria. Një nga qëllimet më të rëndësishme të kësaj fushate është mbledhja e fondeve në mbështetje të fëmijëve me sëmundje të rënda. ‘Kush shpëton një jetë, është sikur ka shpëtuar tërë njerëzimin’ (Sure Maide, 32). Le të bashkohemi së bashku e t’i kthejmë lotët e dëshpërimit në lot gëzimi. Ne besojmë fort që çdo moment është i rëndësishëm, sepse çdo ditë ka jetë që ndalojnë në pritje të një dore ndihmë.Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!", thuhet në përshkrimin e fushatës në GoFundMe.
Le të bëhemi bashkë për të shpëtuar Anxhelën! 🙏❤