Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania lidhur me mungesën e ilaçeve në QSUT.
Një qytetar tregon se para një muaji, xhaxhai i tij u aksidentua dhe u shtrua në Spitalin e Traumës.
Sipas tij, në spital mungonin disa barna dhe mjekët i sugjeruan që t’i blinin privatisht, pasi gjendja ishte e rëndë dhe nuk mund të pritej.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ! Duke marrë shkas nga mungesa e ilaçeve në QSUT, doja të bëja të ditur edhe rastin tim. Para 1 muaji, xhaxhai im u aksidentua dhe në Spitalin e Traumës mungonin barna të rëndësishme. Mjekët na thanë t’i blinim vetë privatisht, pasi gjendja e tij ishte shumë e rëndë dhe nuk kishte alternativa të tjera. U detyruam t’i blinim."
Ky denoncim vjen në kuadër të një shqetësimi të madh që ka prekur shumë pacientë. Paraditen e sotme, një nënë raportoi për JOQ Albania se u detyrua të blinte ilaçe për djalin e saj 5-vjeçar në Urgjencën e Pediatrisë në QSUT, pasi nuk kishte mjek në turn dhe spitali nuk ofronte barnat e nevojshme.
Ky rast, së bashku me denoncime të tjera të ngjashme, tregon për një krizë serioze në sistemin shëndetësor, ku pacientët lihen në mëshirë të fatit dhe detyrohen të paguajnë nga xhepi për shërbimet që shteti duhet t'i sigurojë falas.