Reshtohen si dele sapo i thërret politika, por askush nuk proteston për çmimet e qirave dhe të shtëpive

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.02.2025, 19:42

Sapo politika i thërret, turma e punonjësve të Bashkisë së Tiranës vërshon drejt Sheshit Skënderbej, të gatshëm për t’u rreshtuar në “takimin e punës” të radhës, që dukshëm kishte vetëm një qëllim: të duartrokasë fjalimin e Kryeministrit. Ata lanë gjithçka tjetër mënjanë, madje edhe shqetësimet e përditshme që po i mbysin, si qiratë e papërballueshme dhe çmimet marramendëse të shtëpive në kryeqytet.

E ndërsa Rama foli për "dele që bëjnë be-be-ba" dhe "bretkosa e zhapikë", qytetarët janë bërë vërtet dele, ata nuk dalin për të protestuar kundër qirave e çmimeve të shtëpive që po i çojnë drejt rrënimit, por për të dëgjuar barsoletat e tij që as vetë nuk i kuptuan.

Le të flasim me shifra: një apartament 1+1 në zonat periferike të Tiranës si Fresku apo Astiri kushton 400-500 euro qira në muaj. Në qendër, ku do të donin të jetonin shumica e këtyre punonjësve të bashkisë që duartrokitën sot, një apartament i thjeshtë me një dhomë gjumi shkon deri në 800-1000 euro. Ndërkohë, paga mesatare në Shqipëri është rreth 70 mijë lekë (rreth 600 euro). Pra, një qytetar mesatar ose duhet të harxhojë gjithë pagën për qiranë, ose të marrë një kredi 30-vjeçare për një apartament që dikur mund ta blinte me kursimet e një dekade.

Por kjo duket se nuk shqetëson askënd. Protestat për koston e jetesës mungojnë. Nuk ka asnjë grumbullim në shesh kundër oligarkëve të ndërtimit që kanë shndërruar Tiranën në një lavatriçe betoni dhe që po i detyrojnë të rinjtë të largohen. Nuk ka as protesta kundër faktit që një familje e re nuk mund të përballojë më të jetojë në kryeqytetin e saj. Por sapo politika thërret për miting, sheshi mbushet brenda pak minutash.

Sot, qindra punonjës bashkie u rreshtuan në rrethimin e madh të organizuar nga partia në pushtet për të dëgjuar Kryeministrin, edhe pse çmimi i jetesës i ka bërë ata gjithnjë e më të varfër. Sot ata gjetën kohë për të dëgjuar fyerjet dhe barsoletat e Ramës, por nesër nuk do të kenë kohë për të protestuar pse qiraja e apartamentit të tyre është më e lartë se paga që marrin. Dhe pasnesër, kur çmimet të rriten edhe më shumë, do të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë: të durojnë në heshtje dhe të presin ftesën për mitingun e radhës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit