Prokuroria italiane ka zbardhur detaje të reja mbi aktivitetin kriminal të 44-vjeçarit shqiptar Ilir Zotaj, i njohur edhe me identitetin e dytë si Zio Bushi, i cili u arrestua më 17 shkurt në Shqipëri me qëllim ekstradimi.
Gjykata e Perugias e kishte dënuar atë me 5 vjet e 6 muaj burg për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale. Sipas raportimeve të mediave italiane, Zotaj ishte një hallkë e rëndësishme në trafikun e drogës, duke transportuar rregullisht 30 kilogramë kokainë nga portet e Europës drejt qytetit të Parmës, prej ku lënda narkotike shpërndahej në mbarë Italinë.
Hetimet kanë zbuluar lidhjet e tij me kartelet që kontrollonin rrugët e trafikut të drogës përmes porteve të Belgjikës dhe Britanisë së Madhe, nga ku siguronte financimin për dërgesat e destinuara për tregun italian.
Prokuroria italiane ka dokumentuar episode të veprimtarisë kriminale të Zotajt nga vitet 2008-2010, periudhë gjatë së cilës organizata ku ai bënte pjesë trafikoi mbi 30 kilogramë kokainë drejt Italisë. Droga, e blerë jashtë vendit, më pas shpërndahej në qytete si Perugia, Romë, Melara, Alba Adriatica, Parma, Ancona, Brescia, Teramo, Erbusco dhe Chieti. Të ardhurat e siguruara nga ky aktivitet kriminal transferoheshin menjëherë drejt Shqipërisë.
Në atë kohë, organizata kriminale përbëhej nga 11 anëtarë, shumica shqiptarë. Ndërsa pjesa më e madhe u arrestua, Zotaj arriti t’i shpëtonte drejtësisë dhe qëndroi në arrati për 11 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai ndryshoi disa herë vendndodhjen, fillimisht duke u zhvendosur në Hungari, më pas në Hagen të Gjermanisë dhe në fund në Tiranë, ku më në fund u arrestua pas një operacioni të koordinuar mes Interpolit të Romës, Prokurorit të Përgjithshëm të Perugias dhe Shërbimit Italian të Hetimeve (SDI).
Pas përfundimit të procedurave formale, 44-vjeçari do të ekstradohet drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e tij prej 5 vjet e 6 muaj burg.