Familja e Leo Sadikajt kërkon drejtësi, Prokuroria 17 ditë pa asnjë veprim

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 20.02.2025, 15:17

Vdekja e 12-vjeçarit Leo Sadiku nga fshati Pocestë i Maliqit ka kaluar për hetim në Prokurorinë e Tiranës, pasi Prokuroria e Korçës shpalli moskompetencë për shkak se i mituri humbi jetën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Familjarët e të ndjerit kanë kallëzuar mjekët e Korçës dhe Tiranës për neglizhencë mjekësore me pasojë vdekjen e djalit të tyre, por deri më tani autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Burime pranë familjes bëjnë me dije se që prej datës 3 shkurt ata i kanë kërkuar Prokurorisë së Tiranës që të kryhet autopsia e trupit të të miturit. Fillimisht, familjarët nuk e kishin pranuar autopsinë për shkak të gjendjes së rënduar emocionale, por më pas kanë kërkuar procedimin e saj. Megjithatë, prej 17 ditësh nga dorëzimi i kërkesës, Prokuroria e Tiranës ende nuk ka marrë masa për kryerjen e procedurave të nevojshme.

Në këtë situatë, familja Sadiku i ka bërë apel Prokurorisë për përshpejtimin e hetimeve dhe zbardhjen e ngjarjes. Sipas familjarëve, mjekët fillimisht kishin diagnostikuar të miturin me një virozë, por sipas të dhënave të kartelës mjekësore, të shqyrtuar nga mjekë në Greqi dhe Gjermani, Leo Sadiku vuante nga një infeksion bakterial.

Ndërkohë, ky kallëzim ka ardhur pas një padie të ngritur nga një mjeke pediatre me inicialet J.B., e cila ka akuzuar nënën e të miturit, Roveta Sadiku, për “goditje për shkak të detyrës”, duke pretenduar se ajo e kishte dhunuar.

Në një deklaratë për mediat, nëna e Leo Sadikut ka mohuar akuzat, duke shpjeguar situatën në të cilën është përballur me mjeken në QSUT.

“Jam përballur me mjeken rastësisht, teksa kishim mbesën në spital. Kur e pashë, më janë errësuar sytë dhe më është rikthyer gjithçka që ka ndodhur me djalin tim. E pyeta pse ma vrau fëmijën dhe iu afrova, por aty më ra të fikët. Ka pasur dëshmitarë që mund të konfirmojnë se nuk e kam dhunuar. Këtë çështje ia kam lënë drejtësisë dhe pres që për djalin tim 12-vjeçar të bëhet drejtësi,” u shpreh ajo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit