Gazeta e njohur gjermane “BILD”, dje ka raportuar se sipas informatave të saj nga burime të brendshme, Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova. “Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe” – thuhet në artikullin e gazetës gjermane.
“Ka shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën sot në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës” – thuhet në krye të artikullit.
Ky raportim i “BILD”, ka nxitur reagime të shumta dhe ka shqetësuar ata që atakohen më së shumti nëse ky vendim do të zbatohej, qytetarët e Republikës së Kosovës.
Por misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR ka bërë të ditur se zyrtarët amerikanë e kanë bërë tashmë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës Veriatlantike.
Lajmi.net ka dërguar pyetje tek misioni i KFOR-it në Kosovë, të cilët mes rreshtash kanë demantuar këtë raportim.
KFOR ka thënë për lajmi.net se “zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe faktin që parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme”.
Siç thotë KFOR-i, SHBA-ja ka bërë të qartë pritshmërinë e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët.
“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe faktin që parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme. Si pjesë e kësaj, SHBA-ja ka bërë gjithashtu të qartë pritshmërinë e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët. NATO-ja po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që kërkohet për të mbetur e gatshme”, thuhet në përgjigje.
Gjithashtu KFOR-i ka thënë se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Angazhimi ynë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë”.
KFOR-i po ashtu deklaroi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të tyre afatgjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të tyre afatgjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa”.
Në lidhje me këto raportime nga BILD, lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek Ambasada amerikane në Kosovë, por të njëjtit kanë thënë se nuk kanë diçka për të deklaruar në lidhje me këtë rast.
E nga misioni i KFOR-it në Kosovë po ashtu kanë bërë të ditur edhe numrin e përgjithshëm të trupave të KFOR-it në Kosovë, nga secili shtet.
Italia është shteti i cili ka më së shumti ushtarë në KFOR, gjithsej 1258 trupa, e pas saj radhiten Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 602 ushtarë.
Pas tyre vjen Hungaria me 365 trupa, Gjermania me 269 trupa dhe Polonia me 247 sosh.
Gjithsej në Kosovë, nga 29 vende janë 4686 trupa të cilët bashkë me Policinë e Kosovës dhe FSK-në, ruajnë sigurinë në vend.
Që nga paslufta ushtarë të shumtë të KFOR-it vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre paqeruajtës në vendin tonë.
Ata thuajse çdo ditë kanë ushtrime e trajnime nga më të ndryshmet. Të ngjashëm e patën edhe aktivitetin e djeshëm në kampin “Bondsteel”, ku pavarësisht raportimeve që bëheshin ushtarë nga kombe të ndryshme marshuan bashkë në këtë kamp.
E raportimi për mundësinë e largimit të ushtarëve të KFOR-it nga Kosova me shqetësim e pritën qytetarët, por edhe njohësit e sigurisë në vendin tonë.
Duhet theksuar këtu faktin se gjatë viteve të fundit në kuadër të marrëdhënieve diplomatike e politike në mes Kosovës dhe SHBA-së pati paksa një situatë jo të favorshme. E gjithë kjo sipas informacioneve për shkak të mos-pajtimeve nga Qeveria Kurti me administratat amerikane.