BDI: Të quash shqiptarët e Kosovës “qytetarë shqipfolës të Serbisë” është ofendim i rëndë, VLEN të distancohet nga ky veprim

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 20.02.2025, 14:16

BDI dënon ashpër dhe në mënyrë të pakompromis deklaratën skandaloze të një partneri të koalicionit VLEN, i cili guxoi t’i quajë shqiptarët e Kosovës “qytetarë shqipfolës të Serbisë”.

Nga BDI thonë se kjo nuk është vetëm një shprehje e papërgjegjshme dhe e turpshme, por edhe një fyerje e rëndë ndaj historisë, sakrificave dhe dinjitetit të një populli që ka derdhur gjak për liri.

“Të quash shqiptarët e Kosovës “qytetarë shqipfolës të Serbisë” është një akt i neveritshëm, një mohim i identitetit kombëtar dhe një ripërsëritje e propagandës antishqiptare! Pas gjithë krimeve, masakrave dhe gjenocidit që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve, një deklaratë e tillë nuk është vetëm një provokim, por edhe një përpjekje për të rishkruar historinë në dëm të interesave kombëtare shqiptare.

Kjo retorikë fyese synon të minojë sakrificën e mijëra shqiptarëve që luftuan për të drejtat dhe lirinë e tyre. Nuk do të lejojmë askënd të tjetërsojë realitetin dhe të përçmojë sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

BDI kërkon që VLEN të distancohet menjëherë nga ky ofendim i rëndë. Heshtja ndaj kësaj deklarate është e barasvlershme me miratimin e saj. Nuk mund të ketë vend në politikën shqiptare për ata që përçajnë shqiptarët dhe mohojnë sakrificat e kombit tonë. Çdokush që përdor një gjuhë të tillë ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk mund të përfaqësojë interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga BDI.

Identiteti ynë, shtojnë nga BDI, nuk është për diskutim dhe nuk mund të preket nga askush. Shqiptarët e Kosovës, ashtu si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, janë një komb i vetëm dhe nuk do të lejojmë që askush t’ua mohojë këtë të vërtetë historike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit