Një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat pasi goditi një tufë elefantësh në një rezervat natyror në zonat qendrore të Sri Lanka.
Megjithëse nuk u raportuan të plagosur mes pasagjerëve, gjashtë elefantë janë vranë në aksidentin e rëndë në zonën Habarana, në lindje të kryeqytetit Colombo.
Dy elefantë që kishin mbetur të plagosur po merrnin trajtim, njoftuan autoritetet, duke shtuar se është incidenti më i rëndë i botës së egër i shënuar në vend, shkruan rrjeti AFP.
Ka ndodhur disa herë më parë që tufat e elefantëve të goditen nga trenat në Sri Lanka, vendi me numrin më te madh te viktimave në botë për këtë lloj përplasjesh.
Zyrtarët thonë se mesatarisht 20 elefantë vriten nga trenat çdo vit në vend, pa llogaritur të tjerë që vriten në konflikte njeri-elefant për territor ose burime ushqimore.
Habitati i kafshëve të botës së egër kërcënohet nga shpyllëzimet dhe tkurrja e burimeve, çka i ka detyruar elefantët të afrohen në zonat e aktivitetit njerëzor.
Rreth 7,000 prej tyre llogaritet se jetojnë në Sri Lanka, vendi budist ku elefantët adhurohen dhe vrasja e tyre dënohet me burg.