Autoritetet italiane njoftuan sot kapjen e sasi gjigante prej 58 ton mbetje ‘speciale’ të importuara ilegalisht nga Shqipëria në postin verior të Ancona.
Policia vendase njoftoi se në kuadër të operacionit “Metal Gate” u bë e mundur ndalimi i sasisë së mbetjeve delikate, i zbuluar me anë të analizave të parregullsive në dokumentacionin e ngarkesës nga Shqipëria.
Ata shtuan se gjatë kontrollit të ngarkesës me mbetje metalike, zyrtarët e doganave zbuluan mospërputhje që i bënë të intensifikonin kontrollet.
Ngarkesa e etiketuar si “skorje alumini” kishte në fakt përbërie zinku, plumbi e bakri, që konsiderohen materiale toksike por dhe më të kushtueshme, çka solli akuza për dy kompani të përfshira në transport, me akuza “trafik ilegal mbetjesh”, “falsifikim” dhe “pengim të aktivitetit të kontrollit”.
Operacioni i fundit vjen pas disa veprimeve kundër trafikut të mbetjeve në të gjithë rajonin italian, pas sekuestrimit të rreth 16 ton mbetje urbane disa ditë më herët. Hetimet vijojnë dhe palët e akuzuara supozohen ende të pafajshme deri në konfirmimin e akuzave.