“Djali po më vdiste në duar, te Ambulanca dhe Pediatria më kërkuan t’i blej serum për t’ia bërë”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.02.2025, 10:08

Një nënë ka ngritur një shqetësim të madh lidhur me shërbimin në spitalet dhe ambulancat në Tiranë, pasi ka përjetuar një situatë të papranueshme me djalin e saj 5-vjeçar, i cili ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ajo tregon se ka shkuar me fëmijën e saj në ambulancën e Laprakës, pasi djali nuk po reagonte dhe nuk mund ta prekte as mjekja. Pavarësisht gjendjes së tij të rëndë, mjekja i ka kërkuar që të blinte vetë serum dhe ilaçet në farmaci për t'ia aplikuar në ambulancë.

Po ashtu, edhe në urgjencën e Pediatrisë, ajo ka hasur të njëjtin problem, pasi nuk kishte mjek për urgjencën dhe ka pritur dy ore për të marrë shërbim. Ajo ka treguar se në orën 2 pas mesnate ka qenë e detyruar të shkojë në farmaci për të blerë ilaçet dhe gjilpërat për serumin e fëmijës së saj.

Nëna e shqetësuar thotë se është tmerruar nga neglizhenca dhe mungesa e shërbimit, duke theksuar se fëmijët nuk mund të presin dhe përballojnë këto neglizhenca, veçanërisht kur janë në gjendje kritike. Ajo ka kërkuar reagim dhe ndryshim për këto shërbime, duke denoncuar se shumë shpesh pacientët janë të detyruar të paguajnë për ilaçet dhe mjekimet që duhet t’ua ofrojë vetë spitali.

Ky denoncim ka ngritur një alarm mbi kushtet dhe shërbimin shëndetësor në spitalet dhe urgjencat e vendit, ku shumë qytetarë ndiejnë se nuk po marrin kujdesin që meritojnë, edhe pse shëndetësia është një prej sektorëve me buxhetin më të lartë që shteti i akordon.

Mesazhi i nënës:

Përshëndetje, unë jam një nënë dhe dje u përballa me një situatë të papritur dhe shumë shqetësuese në ambulancën e Laprakës dhe në urgjencën e Pediatrisë. Shkova me djalin tim 5-vjeçar në ambulancën e Laprakës, pasi ai nuk po reagonte dhe mjekja nuk e prekte. Ajo më tha që të blija serum në farmaci dhe të kthehesha ta bëja aty, në ambulancë. Djali im është i regjistruar në ambulancën e Laprakës dhe shkoi për urgjencë, por mjekët nuk e preknin fare dhe nuk e kontrolluan.

Për më tepër, në urgjencën e Pediatrisë, djali im kishte temperaturë të lartë dhe ishte duke vjellë, por aty nuk kishte mjek për urgjencën. Duhet të prisja për dy orë dhe nuk mora asnjë ndihmë. Pas kësaj, më thanë të dilja dhe të blija ilaçet dhe gjilpërat në farmaci, për të mjekuar fëmijën. Kjo është e tmerrshme, një neglizhencë e jashtëzakonshme që mund të kishte pasur pasoja fatale për jetën e fëmijës!

Duhet të bëjmë diçka, të reagojmë për jetën e fëmijëve! Nuk mund të presim më, duhet që kjo të ndalet. Nuk mund të tolerojmë që në spitale, fëmijët të mos trajtohen siç duhet dhe të detyrohen prindërit të blejnë ilaçet dhe mjekimet që duhen të ofrohen aty, në spital. Unë kam blerë ilaçet për djalin tim pas orës 2 të pasmesnate, në farmaci. A është e drejtë që të presësh një fëmijë në gjendje kritike për 1 orë e gjysmë dhe pastaj të duhet të dalësh me ilaçe dhe gjilpëra që duhet t’i merrte spitali? Ky është një abuzim dhe një shkelje e të drejtave të pacientëve!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit