“Pupaci” i Bashkim Ulajt kullufit 1.5 milionë euro nga KESH

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.02.2025, 20:18

Një tjetër tender me dyshime të forta për favorizim është zhvilluar nga Njësia e Prodhimit HEC Fierzë, e cila ndodhet nën administrimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), të drejtuar nga Erald Elezi.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Mbrojtja përgjatë shpatit të majtë të digës së HEC Fierzë, rehabilitimi i mbrojtjes me prita malore në përrenjtë Gropaj, Nik Gjeçi, Mark Andreu etj. (Lot 1).” Ky prokurim publik është zhvilluar me një fond limit prej 129,725,184.43 lekë të reja pa TVSH (rreth 1.5 milionë euro me TVSH), ndërsa vlera e ofertës fituese është 122,672,083.85 lekë të reja pa TVSH, që përfaqëson rreth 94.6% të fondit limit, një tregues që ngre dyshime për mungesë konkurrence të vërtetë.

Fitues i këtij tenderi është shpallur kompania “4 A-M”, e cila figuron në pronësi të Ardit Metaliaj. Megjithatë, nga raportimet e shumta në media dhe të dhëna të mëparshme, ky subjekt konsiderohet si një fasadë pas së cilës qëndron oligarku Bashkim Ulaj, një emër i njohur për lidhjet e tij të ngushta me pushtetin dhe përfitimet e mëdha nga fondet publike.

Një tjetër element që e bën këtë tender të dyshimtë është fakti se në garë kanë marrë pjesë vetëm tre kompani, dhe nga këto, fituese është shpallur ajo që ka ofruar çmimin më të lartë, një praktikë e cila bie në kundërshtim me logjikën ekonomike të një gare të ndershme.

Kompania “4 A-M” ka përfituar rregullisht tendera me vlera të larta nga qeveria e “Rilindjes”, duke ngritur dyshime se funksionon si një vegël e Bashkim Ulajt për të kanalizuar fondet publike drejt bizneseve të tij.

Ky rast është një tjetër shembull i skemave të dyshimta të prokurimeve publike në Shqipëri, ku tenderët jepen brenda një rrethi të ngushtë oligarkësh, nëpërmjet një sistemi të mirorganizuar për manipulimin e garave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit