Një video e publikuar së fundmi në TikTok ka shkaktuar reagime të shumta nga përdoruesit e rrjeteve sociale dhe është bërë subjekt i kritikave. Shumë përdorues të rrjeteve sociale i janë drejtuar faqes sonë, për të denoncuar atë që ka ndodhur, dhe më gjerë fenomenin.
Siç shihet, videoja është bërë nga një nxënës, i cili është ulur në vendin e mësueses, dhe ka filmuar klasën, e mësuesen e cila është me shpinë dhe e pavetëdijshme se po filmohet.
Videoja tregon momentin kur një tjetër nxënës e ngacmon mësuesen nga pas, duke bërë një gjest të papranueshëm. Ky veprim, i cili është i papranueshëm në çdo kontekst, ka ngjallur shqetësim te shumë prindër, mësues dhe qytetarë të tjerë.
Ky incident është një shembull i shprehjes së sjelljeve të pahijshme dhe të rrezikshme që ndodhin shpesh në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, një platformë që përdoret masivisht nga të rinjtë. Ky brezi i ri, i cili ka lindur dhe rritur në një botë të lidhur ngushtë me teknologjinë, ka tendencën të përdorë rrjetet sociale për të fituar vëmendje dhe të shprehë veten në mënyra që shpesh mund të tejkalojnë kufijtë e respektit dhe të etikës.
Pjesa më shqetësuese është se sjellja e nxënësit është pasqyrë e një kulture që po përhapet mes të rinjve, ku shfaqjet publike të ngacmimeve dhe shaka të pahijshme janë shndërruar në një formë të normalizuar argëtimi.
Kjo ngjarje gjithashtu ngre pyetje për mënyrën se si të rinjtë kanë zhvilluar marrëdhëniet personale dhe normat sociale, duke i bërë ata të ndihen të lirë të bëjnë veprime të pahijshme pa menduar për pasojat dhe për rëndësinë e figurës që kanë përballë.