Një denoncim shqetësues ka ardhur në redaksi nga nxënës të shkollës shtetërore muslimane Medreseja e Tiranës, ku tregohen gjendja e keqe e lagështirës e mykut në tavane, madje dhe minj dalin lirshëm në korridoret e saj.
Nxënësit e shkollës që gjithashtu akomodon konviktorë, thonë se janë ankuar te drejtuesit por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh dhe ata duhet të mësojnë e banojnë në kushte të rrezikshme për shëndetin e tyre.
Të rinjtë thonë se shikojnë rregullisht miun të bredhë në shkallët e ndërtesës së tyre dhe drejtuesit refuzojnë të zgjidhin shqetësimin.
Myku dhe lagështia në tavane janë një burim sëmundjesh dhe gjendjesh serioze shëndetësore, por sipas raportuesve ankesat e tyre janë pritur me moskokëçarje nga përgjegjësit, të cilët rregullisht rrisin tarifat e pagesave në një kohë që kushtet e shkollës përkeqësohen.
Myku në ambjentet e banimit ose studimit shkakton probleme shëndetësore veçanërisht për njerëzit me alergji ose asma.
Problemi mykut duhet të trajtohet menjëherë pas pikasjes, para se të ndikojnë në simptoma si bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, irritim të lëkurës ose syve, kollitje ose teshtima, irritim të mushkërive dhe dhimbje koke, thonë mjekët.
Raportimi i nxënësve:
“Pershendetje! Jemi disa nxenes te shkolles Medreseja e Tiranes. Donim te benim publike disa gjera pasi nga shkolla jone nuk i ka marre parasysh dhe nuk mendojm se do te merrem ndonjehere. Jane dy raste. Rasti i pare esht nje mi i cili esht par n ambientet e shkolles dhe per kete nuk esht bere asnje gje. Rasti i dyte eshte gjendja e mykut ne nje nga dhomat e konviktit te shkolles, tarife e cila me kalimin e kohes eshte rritur tarifa por kushtet sa vjen dhe jan perkeqesuar. Do te doja qe edhe nga ju ky informacion te merrej parasysh pasi sic thash edhe nje her shkolla jon ka treguar vetem moskokcarje. Kerkojm te mbetemi anonim.Faleminderit!