Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën paraditen e së martës, kur 34-vjeçari Kolë Manaj qëlloi me armë partneren e tij, Anila Prendushi Ndoka, dhe më pas vrau veten.
Ngjarja ndodhi në zonën “Mark Lula”, ku çifti ishte ndalur me makinë pas një debati të tensionuar.
Kolë Manaj, i cili u vetëvra, pasi mendoi se kishte vrarë Anilën, kishte hequr dorë nga Amerika, për të qëndruar me partneren e tij në Shqipëri.
Manaj kishte shkuar në vendin e punës së Anilës për ta bindur që të mos ndaheshin. Pasi e mori me makinën e saj, ata u ndalën në një kompleks pallatesh, ku debati mes tyre kulmoi me aktin tragjik. 34-vjeçari qëlloi me plumb në kokë partneren dhe, duke menduar se ajo kishte ndërruar jetë, më pas qëlloi veten, deklaroi Klodiana Lala. Manaj vdiq në vend, ndërsa 44-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve, mbeti e plagosur rëndë dhe po lufton për jetën në spitalin e Traumës.
Çifti kishte bashkëjetuar për pesë vite, por së fundmi kishin pasur konflikte. Anila kishte kërkuar ndarjen, një vendim që Manaj nuk e kishte pranuar. Sipas Lalës, ai madje kishte menduar edhe një tentativë vetëvrasjeje si mjet për ta rikthyer partneren.
Policia po heton ngjarjen në dy drejtime kryesore: xhelozinë dhe vështirësitë ekonomike. Burime të afërta me çiftin tregojnë se Anila ishte e vetmja që punonte dhe siguronte të ardhurat për familjen, ndërsa Manaj ishte i papunë.