Anila Ndoka Prendushi, 44 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi bashkëjetuesi i saj, Kole Manaj e qëlloi me plumb në kokë, ditën e djeshme.
Pas ndarjes nga bashkëshorti, me të cilin ka 3 fëmijë, Anila kishte nisur bashkëjetesën me 34-vjeçarin dhe prej 5 vitesh ishin bashkë. Në fillim marrëdhënia e tyre ka qenë e mirë, por javët e fundit kishin nisur problemet mes tyre.
Mësohet se Kole Manaj ka inskenuar një ngjarje sikur do i jepte fund jetës në banesë dhe i ka dërguar video Prendushit. Ajo ka shkuar për t’i thënë se nuk duhet të vrasësh veten. Anila ka dalë nga puna, ka hipur në makinën e tij me idenë për t’u sqaruar, por në këtë moment Kole Manaj e ka qëlluar me armë dhe duke menduar se ajo ka ndërruar jetë, më pas i ka dhënë fund jetës së tij.
Të dy trupat janë gjetur në një mjet tip "Tiguan" në lagjen "Mark Lula" të Shkodrës. Manaj ka ndërruar jetë në vend, ndërsa Anila është transportuar me urgjencë drejt spitalit Rajonal të Shkodrës dhe më pas drejt Traumës, në Tiranë.
Prendushi ka një plagë në kokë dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, por shanset që të mbijetojë janë të pakta.
Ajo punonte si psikologe pranë një qendre sociale në bashkinë Shkodër, ndërsa Kole Manaj prej disa kohësh ishte i papunë.