Ndikimi i importit, nga pranvera çmimi i kafesë do rritet me 10-30 lekë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.02.2025, 08:57

Shqipëria pritet të përballet me çmime më të larta të kafesë në bare, pasi importet e këtij produkti janë rritur ndjeshëm gjatë muajit janar 2025.

Të dhënat zyrtare tregojnë se një kilogram kafe është importuar 30% më shtrenjtë në krahasim me janarin e vitit të kaluar, duke shkuar nga 462 lekë për kilogram në 598 lekë për kilogram.

Në janar 2024, Shqipëria importoi 486,619 kilogramë kafe me një vlerë totale prej 216 milionë lekë, ndërsa këtë vit u importuan 787,834 kilogramë kafe me vlerë 471,6 milionë lekë. Kjo rritje e çmimit të importit është pasuar nga një ngarkesë në tregun e brendshëm, duke shkaktuar vështirësi për baret dhe restorantet që kanë parë një rritje të çmimeve të kafesë dhe produkteve të tjera të ngjashme.

Ekspertët e bareve dhe restorenanteve kanë paralajmëruar se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 2025, pritet që çmimi i një filxhani kafeje të rritet me 10-30 lekë. Megjithëse ka pasur konkurrencë të fortë mes bar-kafeve që e kanë vonuar reflektimin e plotë të rritjes së çmimeve, ata thonë se faktori i kostove të tjera të larta, si pagat, do të sjellë patjetër rritje të çmimit të kafesë, që pritet të shkojë nga 70 deri në 150 lekë për filxhan, varësisht nga zona.

Rritja e çmimeve të kafesë lidhet gjithashtu me ndikimet e ndryshimeve klimatike në tregjet ndërkombëtare. Një raport nga kompania "Inverto" ka treguar se variacionet ekstreme të motit, si reshjet dhe temperaturat e larta, kanë ndikuar negativisht në rendimentet e prodhimit të kafesë dhe kakaos, duke çuar në rritje të çmimeve. Sipas këtij raporti, çmimi i kafesë është rritur me 103% dhe i kakaos me 163% gjatë vitit të kaluar, dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë edhe në vitin 2025.

Ndryshimet e klimës dhe ngjarjet ekstreme të motit pritet të vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e ushqimeve dhe produkteve bujqësore gjatë gjithë vitit 2025, duke shkaktuar paqëndrueshmëri në treg.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit