Ish-Drejtori i Ujësjellësit Durrës fiton tenderin 10 MLN Euro për ujërat e zeza të Spillesë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.02.2025, 19:55

Një tender me vlerë rreth 10 milionë euro për ndërtimin e sistemit të ri të ujërave të zeza në zonën turistike të Spillesë ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe përzgjedhjen e fituesve. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, e drejtuar nga Klevis Jahaj, ka shpallur fitues të tenderit kompanitë ADRIATIK, në pronësi të Petrit Kovaçit dhe Ardian Mustafarajt, si dhe 2T, e drejtuar nga Artan Sako dhe Dritan Troksi.

Vlera e ofertës fituese është 839,313,658.28 lekë pa TVSH, ose rreth 10 milionë euro me TVSH, ndërkohë që fondi limit i përcaktuar për këtë projekt ishte 885,371,813 lekë pa TVSH. Kjo do të thotë se oferta fituese përbën 94.8% të fondit limit, një diferencë minimale që shpesh ngre dyshime për tendera të paracaktuar.

Por ajo që e bën edhe më problematik këtë tender është lidhja e ngushtë e pronarëve të kompanive fituese me zyrtarë të rëndësishëm publikë. Petrit Kovaçi, një nga pronarët e kompanisë ADRIATIK, është babai i Spartak Kovaçit, ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizime Durrës deri më 31 gusht 2022. Kjo ngre dyshime për një konflikt të mundshëm interesi, duke pasur parasysh lidhjet e tij të mëparshme me sektorin e ujësjellësit dhe ndikimin që ai mund të ketë ruajtur në këtë fushë.

Nga ana tjetër, një nga bashkëpronarët e kompanisë tjetër fituese, Artan Sako, është vëllai i Gramos Sakos, ish-komandant i Gardës së Republikës.

Fakti që vlera fituese është shumë afër fondit limit, së bashku me këto lidhje të forta familjare me zyrtarë të rëndësishëm, e bën këtë tender të dyshimtë dhe të hapur për hetime të mëtejshme mbi mundësinë e një skeme të paracaktuar për ndarjen e fondeve publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit