Një grevë e përgjithshme 24-orëshe ka nisur sot në të gjithë sektorët në Greqi, e drejtuar nga sindikatat më të mëdha të punonjësve në vend.
Greva e përgjithshme e sektorit publik e privat i shtohet lëvizjes kundër politikave të shtrëngimit financiar të qeverisë që kanë rritur çmimet, varfëruar qytetarët dhe vështirësuar përballimin e kostove të jetesës .
Protestuesit kritikojnë qeverinë e djathtë të Kyriakos Mitsotakis se nuk ka vepruar për inflacionin dhe kostot në rritje të strehimit.
Greva masive 24-orëshe mbahet në mbështetje të punonjësve në programe të veçanta kujdesi shëndetësor, dhe kishte pjesëmarrje nga sektori privat, publik e madje dhe gazetarësh, shkruan rrjeti turk Anadolu.
Ajo u mbështet gjithashtu nga sindikata më të vogla, organizata e parti të majta politike.
Në disa qytete të Greqisë raportoheshin sot marshime në mbështetje të grevistëve.
Nesër është thirrur një grevë e përgjithshme nga sindikata gjigante e taksistëve të rajonit Attica ku përfshihet Athina dhe porti i Pireut, kundër politikave të kufizimeve të punës dhe rritjes së kostove të jetesës.