Shumë shpesh na qëllon që teksa bëjmë “scroll” në Instagram apo në Tik-Tok, të na dalin foto dhe video të qendrave të masazheve me foto të vajzave duke reklamuar të pasmet dhe nëntekst: “Staf i ri” "Rezervo orarin tënd".
Por nëse këto reklama, që janë dukshëm aktivitet prostitucioni, i konsideruar krim në vendin tonë, na dalin në rrjetet sociale për shkak të algoritmit e reklamave, po në WhatsApp si mbërrijnë?
Një qytetar i shqetësuar i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një fenomen që ndodh rëndom në vendin tonë. Ai thotë se përveç shitjes së të dhënave tek operatorët telefonikë që shesin produkte për shtëpinë, tani numrat po shpërndahen edhe në folezat e prostitucionit, të kamufluara si qendra masazhesh.
Në WhatsApp atij i ka mbërritur një mesazh me tekstin "Deshiron orar masazhi, ju mirepresim" nga një faqe e quajtur "Masazhe Tiran". I habitur, por edhe i shqetësuar nga kjo ftesë, qytetari ka pyetur se ku e kanë marrë numrin e tij, por faqja në fjalë ka thënë thjesht "Ndjes".
Ai i bën thirrje autoriteteve që të marrin masa për këtë fenomen, pasi ndryshe nga shitja e dyshekëve e pajisjeve shtëpiake, prostitucioni është krim dhe si i tillë duhet ndëshkuar ashtu siç ligji e parashikon.
Vlen të thuhet se ndonëse media jonë vijon t'i bie kambanave të alarmit për këtë aktivitet të paligjshëm, Policia e Shtetit, me në krye Ilir Prodën mbyll sytë dhe gjobit padrejtësisht qytetarët, ndërkohë që Komisioneri i Mbrojtjes së Dhënave ekziston thjesht si institucion që mbahet me taksat e shqiptarëve.