Gledian Llatja i jep leje për treg të ri ushqimor në Elbasan babait të Suel Çelës

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 18.02.2025, 10:39

Rilindasit në Këshillin Bashkiak të Elbasanit miratuan në janar zgjerimin e territorit të tregut Agro-Ushqimor, një pronë e regjistruar në emër të Petrit Çelës, babait të Suel Çelës, i cili është shpallur dy herë në kërkim nga SPAK për akuzat e krijimit të një organizate kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.

Rreth tre kilometra nga qendra e Elbasanit, tregu është i rrethuar nga mure betoni dhe kangjella të larta, duke i dhënë më shumë pamjen e një fortese sesa një tregu fruta-perimesh, shkruan BIRN. Përpara hyrjes kryesore, vendin e tregtarëve e kanë zënë disa të rinj rreth të 30-ave, të cilët qëndrojnë vigjilentë ndaj çdo të panjohuri.

Ky reporter nuk kishte zbritur ende nga taksia kur njëri prej tyre bëri shenjë me dorë për t’u afruar dhe kërkoi llogari për praninë e tij aty.

“Ik, nuk ke me kë flet,” tha ai, sapo mësoi se ishte gazetar. “Tregu është i mbyllur.”

Pak çaste më vonë, një person nga brenda fishkëlleu, dhe dy djem të tjerë me xhupa të zinj dolën nga porta. Pasi u prezantuan si roje, ata përsëritën të njëjtën pyetje dhe më pas u larguan me një koment të shkurtër: “Fol me pronarin.”

Tregu Agro-Ushqimor është i vetmi i këtij lloji në Elbasan dhe administrohet nga kompania “Çela P”, e cila ka si pronar Petrit Çelën. SPAK ka deklaruar se mes viteve 2020-2022, tregu shërbeu si bazë e një organizate të dyshuar kriminale, ku zhvilloheshin takime të fshehta dhe jepeshin urdhra për veprimtari të paligjshme.

Pavarësisht këtyre akuzave dhe hetimeve në vijim, më 24 janar, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi një leje të dytë për zgjerimin e tregut, duke argumentuar se ky vendim synon të mbështesë sektorin bujqësor dhe të nxisë “inovacionin dhe bashkëpunimin mes fermerëve”.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, e cilësoi miratimin e lejes si “një procedurë standarde” dhe theksoi se nuk kishte pengesa ligjore për kompaninë që të përfitonte lejen.

“Është bërë kërkesë nga një subjekt privat, për një pronë private, për ndërtimin e një tregu publik dhe është miratuar nga Këshilli Bashkiak, meqë kërkon një leje nga Këshilli,” tha Llatja.

Ndërkohë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, refuzoi të komentonte mbi vendimet e institucioneve të tjera apo mbi çështjet që janë ende nën hetim.

Nga ana tjetër, Petrit Çela mohoi çdo lidhje mes pasurisë së tij dhe djalit të tij, duke deklaruar:

“Pesëmbëdhjetë vjet i ndarë dhe tre vite pa e parë.” Ai pretendoi se pasuria e tij është e ligjshme dhe se kompania e tij gjeneron miliona lekë si rezultat i punës së tij si tregtar që prej fillimeve të viteve ’90.

“Nuk ka as shtëpi, as katandi,” tha Çela, duke mohuar akuzat ndaj të birit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit