Administrata “Trump” duket se jo vetëm nuk ka në plan shkrirjen e prokurorisë së posaçme në Shqipëri, por po e shton mbështetjen ose kontrollin e saj për të, në varësi të leverdisë për programin kundër korrupsionit politik e shtetëror.
FBI njoftohet se ka zgjeruar prezencën në Shqipëri pranë SPAK-ut e BKH-së me 8 hetues e ekspertë të tjerë.
Ata i janë bashkuar ekipit ekzistues të FBI, që është prej 5 vitesh brenda SPAK e BKH, si strukturë që asiston, kualifikon e mbështet prokurorët e hetuesit shqiptarë, për efiçencë në goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ky ekip shtesë me hetues e ekspertë të FBI pranë SPAK-ut e BKH-së, është dërguar në zbatim të marrëveshjes së lidhur mes palëve në muajin dhjetor 2024.
Dërgimi i tyre nga shefat e rinj të FBI që ka emëruar administrata “Trump”, raportohet se vjen pas kërkesës së Altin Dumanit, për asistencë e bashkë-hetime më të specializuara ndaj krimit brenda e jashtë politikës në Shqipëri shpesh të lidhur bashkë në veprimtari e interesa, që raportohet se cenojnë dhe programet e SHBA-ve në Shqipëri e Rajon.