Irsa Muçollari, një vajzë e qetë dhe e sjellshme, humbi jetën tragjikisht në moshën 16-vjeçare për shkak të bullizmit në shkollë, duke lënë prindërit e saj, Mirelën dhe Ilirin, në një dhimbje të thellë dhe me shumë pikëpyetje për shkakun e veprimit të saj.
Ata nuk kishin menduar se vajza e tyre mund të përjetonte një dhimbje kaq të madhe, pasi ajo ishte gjithmonë e dashur dhe e sjellshme, duke i siguruar ata se gjithçka ishte në rregull në shkollë. Pas ngjarjes, ata zbuluan letrat e shkruara nga Irsa në lidhje me bullizmin dhe emocionet e saj të fshehura.
“Do më mbetet peng tërë jetën dhe në kokën time kam vetëm ‘PSE? PSE?’. Kush ma mërziti kaq shumë dhe nuk e kuptoi asnjë njeri? Ne e donim aq shumë. Unë për atë jetoja për atë punoja! Të gjesh fëmijën kur vjen nga puna në atë gjendje. I dhashë frymë, nuk e shpëtova!”, tha ajo.
Irsa ka qenë gjithmonë një vajzë e sjellshme dhe e qetë, dhe prindërit e saj e pyesnin shpesh se si kishte kaluar në shkollë, duke marrë përgjigje të zakonshme se gjithçka ishte mirë. Ata janë të tronditur nga ndodhia, pasi asnjëherë nuk kishin menduar që vajza e tyre do të përballej me një dhimbje kaq të madhe, duke i lënë ata në një të panjohur të thellë.
“Kohët e fundit e shikoja që kishte ndryshuar sjellje, ishte pak me e mërzitur, por nuk na shkonte mendja për vajzën që të shkonte deri në këtë pikë. Se ka qenë shume e sjellshme, shumë e mirë, shumë e urta, e pyesja sa vinte nga shkolla: ‘Si kalove të keqen babi?. Mirë, babi mirë’. Edhe kjo na ka çuditur”, u shpreh babai i Irsës.
Iliri me Mirelën përpiqen të kujtojnë bisedat e fundit me vajzën, para se të kryente vetëvrasjen. “Ditën e fundit më ka ardhur 20 minuta para se të mbaronte shkolla, më tha mbaruam shpejt. Para një jave i tha duke qarë mamasë ma ndërro klasën se ata nuk mësojnë. Janë 6 orë si do duroj çdo ditë kështu”.
“Bëjnë si të çmendur më tha mua. Qeshin kot, flasin kot dhe nuk më pëlqen. Donte të shkonte te klasa që kishte shoqet e 9-vjeçares. I thashë merru me veten, injoroji ata. Ashtu bëj më tha, por janë 6 orë o mami më tha. Të marr mësuesen, të ndërrojmë bankën. Jo, jo tha se është më keq ashtu. Si duket i vinte turp se do ta bullizonin shokët përsëri. Jo, jo, bëra gabim që të thashë…”.
Pas aktit tragjik ata e kuptojnë ngarkesën emocionale që e bija ka ndierë.
“Kanë gjetur disa letra që shkruanin në anglisht për bullizimin. Në një letër tjetër shkruante t’i them babait, apo jo?”, tha Iliri.
Irsa ishte kampione shahu në shkollën e mesme, kishte talent në pikturë dhe ishte e aftë në gjuhët e huaja, por nuk ishte shumë e hapur me të tjerët. Ajo e njihte thellësisht veten, dhe këtë e pasqyronte në një letër detyrë ku e krahasonte veten me shoqen e saj të vetme.
“E ke shumë të mirë më thoshin mua dhe mësueset. Është pak e ndrojtur…Po ashtu ka tipin ju thoja. Por aktivizojeni që të çiltërsohet. Ishte më e mirë seç duhet, u mbyll në vetvete dhe i mori me vete të gjitha”, u shpreh Mirela.
“Edhe t’i jepje 200 lek, edhe 100 lek apo mos t’i jepje fare nuk kishe shqetësim prej saj. Aq e mirëkuptueshme ishte. Nuk kërkonte kurrë asgjë me zor. Irsa kuptonte çdo gjë. Tani vështirësi ekonomike kemi të gjithë! Por Irsës nuk i kemi lënë gjë pa plotësuar”, tha babai i saj.
Prindërit e Irsës apelojnë që bullizmi të marrë vëmendjen e duhur, duke theksuar se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qëndrojmë afër fëmijëve tanë, duke i pyetur dhe dëgjuar gjithçka, pasi ndodhia me Irsën tregon se mund të ndodhin tragjedi të papritura.
Ata këshillojnë që prindërit të mos mendojnë se fëmijët e tyre janë të përsosur, pa i parë nga afër në shkollë dhe pa kuptuar mjedisin dhe nivelin e klasës ku ndodhen, pasi kjo mund të shkaktojë pasoja të paparashikuara.