Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një problem të rëndësishëm me infrastrukturën rrugore në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës.
Siç shihet dhe në pamjet e dërguarar nga qytetari, kthesa e Kamzës është zhytur në errësirë totale për shkak të mungesës së ndriçimit, duke krijuar një situatë të rrezikshme për shoferët dhe këmbësorët.
Por problemi nuk ndalet me kaq. Përveç mungesës së ndriçimit, një gropë e madhe në mes të rrugës e bën akoma më shqetësuese situatën, duke rritur rrezikun për aksidente dhe dëmtime të automjeteve.
"Kjo është një nga rrugët më të frekuentuara në Tiranë, por ndodhemi në errësirë totale. Sikur të mos mjaftonte kjo, shikoni sa e madhe është GROPA në mes të rrugës," shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve i bëjnë thirrje autoriteteve për marrjen e masave të menjëhershme për ndriçimin e segmentit dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore, për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.