Gjykata e Lezhës ka lënë në burg sot 38-vjeçarin Simon Gjoka për akuzën e vjedhjes dhe marrëdhënieve seksuale me të mitur.
Ai dyshohet gjithashtu se ka shfrytëzuar për prostitucion të miturën me të cilën abuzonte, ndërsa masa e paraburgimit është pranuar nga gjykatësja Englantina Biba.
Vetë 38-vjeçari mohon se ka kryer marrëdhënie me të miturën 13-vjeçare, duke pretenduar se fotot dhe video që janë gjetur në telefon ‘nuk janë të asaj natyre’. Gjykata i ka kërkuar prokurorisë vijimin e hetimeve në lidhje me dyshimet për marrëdhënie seksuale me të miturën, dhe shfrytëzimin e saj për prostitucion nga i akuzuari.
Arrestimi i Gjokës u bë pas dyshimeve fillestare për vjedhje bagëtish, ndërsa pas vendosjes në përgjim, u zbulua se komunikonte me të miturën me biseda me kontekst seksual. Nëna e të miturës kishte miqësi me Simon Gjokën, dhe kjo kishte afruar abuzuesin me fëmijën.
Pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje në praninë e psikologut dhe nënës, 13-vjeçarja ka dëshmuar se lidhja me 38-vjeçarin kishte filluar prej më shumë se 1 viti dhe se kishin kryer marrëdhënie seksuale.
Në telefonin e të miturës janë gjetur videot intime dhe foto, por vajza ka pranuar gjithashtu se 38-vjeçari e kishte prezantuar edhe me persona të tjerë, ndërsa është ngritur dyshimi se mund të jetë shfrytëzuar prej tij për prostitucion.