Në gjithë tymnajën politikë-drejtësi të ditëve të fundit, pas një hulumtimi sipërfaqësor-pasuror, bie në sy se prokurorët e SPAK rezultojnë të gjithë të varfër. Ashtu si kolegu i tij Altin Dumani, edhe prokurori Ols Dado rezulton “fukara” në letrat e deklaruara të pasurisë.
Dado ka zeruar të gjitha llogaritë bankare, madje një prej të cilave e ka me vlerë (-) minus dhe rezulton se banon në një apartament që e ka dhuratë. Pra prokurori rezulton i varfër, mbahet me pagën si prokuror dhe banon në apartamentin e dhuruar.
Po ashtu interesant është fakti se prokurori i çështjes Veliajt rezulton të ketë përfituar një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës për një pallat 9-katësh në zemër të kryeqytetit. Leja e ndërtimit është miratuar në vitin 2021, ndërsa objekti ka përfunduar në vitin 2024.
Hetimet zbulojnë se Dado fillimisht zotëronte vetëm 70 m² truall, të cilin e kishte trashëguar nga i ati, por pas procesit të zhvillimit, ai u bë bashkëpronar në një pallat me vlerë miliona euro. Përmes një marrëveshjeje me firmën ndërtuese ALB EDIL, ai ka përfituar dy apartamente dhe një garazh me vlerë rreth 600 mijë euro.
Sipas burimeve, Ols Dado nuk e ka deklaruar këtë pasuri në ILDKPKI, një fakt që ka ngritur dyshime mbi përfitimet e tij dhe marrëdhëniet me ndërtuesit.
Ndërkohë, Veliaj ka pretenduar se Dado ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme favore nga bashkia dhe, pasi nuk i janë miratuar kërkesa të tjera për leje ndërtimi, ai ka nisur të sulmojë kryebashkiakun.
“Pasi ke mbetur i pakënaqur, më ke thënë ‘do ta mbash mend’. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj në seancën e GJKKO.